Kujt po i frikësohet Qeveria Kurti?

Pushtetarët nuk u janë përgjigjur mbi 95% të pyetjeve që u janë dërguar, për çështje dhe tema të një game të gjerë dhe kjo problematikë është shqetësuese, meqë shtrihet te një pjesë e madhe e spektrit gazetaresk në Kosovë

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

Më 19 mars 2020, presidenti amerikan Donald Trump, i ngrysur në fytyrë, doli para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, për të folur rreth situatës me koronavirus, teksa pritej që numri i të prekurve t’i kalonte 10 mijë raste në ditë.

Për një orë ai foli me shifra, të cilat mund t’i kishte vetëm ai, para se një gazetare e One America News Network, e njohur për mbështetjen e pakursyer nga Trump, t’ia bënte një pyetje nga e cila, nënqeshja do t’ia përshkonte buzët e presidentit.

Ajo do ta pyeste për “tradhtinë e mediave të majta”, një prej temave të preferuara të Trump. Prapa presidentit, në radhë për të marrë fjalën ishin Kirurgu i Përgjithshëm, komisioneri i Agjencisë së Ushqimit dhe Barnave, bashkë me të tjerë ekspertë, të cilët do t’u përgjigjeshin pyetjeve rreth pandemisë, që pritej t’u merrte jetën miliona njerëzve.

Mirëpo, për Trump, armik më i rrezikshëm se viursi, ishin mediat. “Mendoj se unë e kam përdorur i pari termin ‘Fake News’”, tha ai, duke dhënë edhe një term tjetër – “lajme të korruptuara”, për të gjitha lajmet që nuk i pëlqenin. “Mediat janë shumë të pandershme”, nënvizonte ai, dy vjet pasi e kishte lavdëruar një kandidat për kongresist, i cili ishte përplasur fizikisht me një gazetar.

Pothuajse dy vjet pas kësaj shfaqje të trishtë, Qendra Evropiane për Liri të Mediave, Federata Evropiane e Gazetarëve, dhe disa organizata të tjera për mbrojtjen e gazetarëve, përmes një letre, kishin kërkuar nga institucionet e Kosovës që të ndalojnë gjuhën diskredituese dhe denigruese ndaj gazetarëve.

Në atë letër përmendeshin postimet në Facebook të zëdhënësve dhe këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Zyrës së kryeministrit Kurti, të cilët “duke folur në emër të partive që prezantojnë, thanë se mediat u përpoqën të minonin presidenten, përmes raportimeve të tyre”.

Këto organizata veçonin edhe komentet e bashkëshortit të presidentes Osmani, Prindon Sadriu, drejtuar gazetarëve.

Më 8 shkurt, Sadriu përmes një postimi në Facebook i kishte cilësuar gazetarët në Kosovë si “përfaqësues të ndërmarrjeve të përbashkëta kriminale”, duke kritikuar mediat për lidhjet e tyre me “parapolitikën” dhe për keqpërdorime të tjera. Ai po ashtu, kishte thënë se gazetarët po tentojnë ta njollosin punën e presidentes Osmani.

Mediat ishin kthyer në një “armik” aq të madh për qeverinë, saqë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ishte detyruar që 3 majin, Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit dhe aktivitetet rreth asaj dite t’i përmblidhte me moton “Mediat nuk janë armiku”.

Zyrtarisht, ky është qëndrim edhe i qeverisë. Mirëpo, shkëputja pothuaj e krejtësishme e raporteve midis gazetarëve dhe pushtetarëve është rrëfim i gjatë dhe karakteristik i kësaj qeverije, që tregon krejtësisht të kundërtën.

Mediumi në të cilin po botohen këta rreshta ka nisur punën para dy muajsh. Në asnjë nga pyetjet që unë kam nisur për qeverinë apo ministritë, për këta dy muaj, nuk kam marrë përgjigje. Nga të gjitha pyetjet që ka nisur redaksia, në disa raste, ka marrë përgjigje zyrtare nga disa prej ministrive. Në një rast tjetër, kur pyetja i është dërguar zyrës së kryeministrit, rreth konfirmimit të një vizite të tij, zëdhënësi ka zgjedhur të mos përgjigjet, por të shkruajë në llogarinë e tij në Facebook, për të njëjtën çështje, në mënyrën si ai ka dashur ta përçojë, mesazhin që ka dashur ta përçojë.

As unë si gazetar dhe as redaksia e PortaliD, asnjëherë nuk kemi pranuar ndonjë sqarim, në çfarëdo forme, për arsyet e mosmarrjes së përgjigjeve, për pyetjet që kemi dërguar. Kështu, lexuesi mund të mendojë se problemi qëndron në relacionin e krijuar, për arsye apo faktorë të ndryshëm, midis mediumit dhe institucionit dhe madje qeverisë në tërësi. Mirëpo, kjo do të ishte ta shohësh fotografinë krejtësisht të përmbysur. E vërteta është që kjo qeveri ka probleme komunikimi me të gjitha apo më saktë me pothuaj të gjitha mediat në Kosovë.

Duke qenë brenda të njëjtës shtëpi mediale, nuk ishte e vështirë ta kisha edhe një tjetër pikëvështrim për mënyrën se si qeveria që udhëhiqet nga Albin Kurti e ka ndërtuar këtë marrëdhënie me median.

Që qeveria dhe ministritë, jo rrallë, refuzojnë të kthejnë përgjigje në disa nga pyetjet që mund të perceptohen me qasje më kritike, e konfirmon edhe drejtori i Informacionit në Radio Televizionin Dukagjini, Dibran Istrefi.

Sipas tij, “mospërgjigja e këtyre institucioneve, është pika kryesore ku ka ngecje”, në raportin midis medias dhe pushtetit. “Ndonjëherë, mospërgjigjja të bën të kuptosh më shumë se përgjigja”, thotë ai, duke nënvizuar se “kur nuk përgjigjesh, i bie se ke diçka për të fshehur”.

Istrefi megjithatë bën dallimin midis qeverisë dhe presidencës e parlamentit, në mënyrën se si e kanë ndërtuar dhe e mirëmbajnë komunikimin me media. Mirëpo, të triat nuk qëndrojnë mirë për nga shpejtësia dhe gatishmëria për t’u përgjigjur në pyetjet që u dërgohen.

Kjo vlen veçanërisht për mediat që janë më kritike ndaj qeverisë. Albanian Post edhe perceptohet, por edhe e sheh veten si media e tillë. “Qeveria ka vendosur të jetë e mbyllur për mediat kritike dhe u kthen përgjigje vetëm mediumeve proqeveritare”, thotë, me bindje, kryeredaktori i zyrës në Prishtinë, Lirim Mehmetaj.

Gama e pyetjeve në të cilat AP nuk ka marrë përgjigje është e gjerë, nga takimet e delegacionit në Bruksel, ligjet e propozuara nga qeveria dhe deri te problemet me ambasadorë e konsuj. “Në asnjë nga pyetjet e mediumit, qeveria nuk ka kthyer përgjigje”, thekson Mehmetaj.

Në vlerësimin e tij, ky qëndrim i pushtetit karshi mediumit lidhet kryekëput me tipin e pyetjeve që parashtrojnë, të cilat i cilëson si “sfiduese” dhe jo tipike për “mediat proqeveritare”.

Dhe për pasojë, bëhet e vështirë që temat hulumtuese të dalin të plota, meqë pa bashkëpunimin e institucioneve ato dalin vetëm me burime, me prononcime nga opozita apo në rastin më të keq nuk publikohen fare, në mungesë të përgjigjeve.

“Për dallim nga presidenca dhe kuvendi, qeveria nuk na ka kthyer përgjigje asnjëherë”, thotë Mehmetaj, duke dashur që theksi të vihet te pjesa e dytë e fjalisë.

Në po këtë regjistër, për raportet pushtet-media, flet edhe drejtori i Gazeta Metro, Valon Syla. Ai thotë se qeveria dëshiron që gazetarët të shërbehen vetëm me informatat që ata i japin përmes rrjeteve sociale.

“Tendenca e qeverisë”, vazhdon ai “është të bëjë monolog me veten dhe strukturat militanteske, duke shmangur informimin dhe dialogun me publikun”.

Për Sylën, një pjesë e mirë e qëndrimeve që i servohen publikut janë demagogjike, me ngjyrime tragjikomike. Për ilustrim, përmend rastin e zëvendëskryeminsitrit Besnik Bislimi, i cili pas takimit me zyrtarë evropianë, kishte dalë me versionin e tij për rrjedhën dhe frytet e atij takimi, gjë që e kishte shtyrë zëvendëssekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, të reagojë, për ta korrigjuar.

“Për këto arsye”, thotë drejtori i Metro “tani shërbehemi vetëm nga burimet brenda institucioneve dhe më nuk u dërgojmë as pyetje sepse nuk kthejnë përgjigje”.

Qeveria Kurti 2 nuk përgjigjet as në pyetjet më të thjeshta. Këtë e konfirmojnë edhe nga gazeta Nacionale.

Mirëpo, për redaktorin e këtij mediumi, Mirlind Behluli, akoma më shqetësuese është që iu ka ndodhur t’i shohin përgjigjet në pyetjet që i kanë bërë dhe për të cilat nga qeveria nuk kanë marrë asnjëherë as refuzim për t’u përgjigjur, të botuara në mediat tjera.

“Kjo është ‘përzgjedhje’ e mediumeve nga ana e pushtetarëve”, është i bindur ai. Ndërsa, mediumin në të cilin punon e vlerëson si “kritik” dhe “kundërshtues të pushtetit”.

Që pushteti po i përzgjedh mediumet nuk ka dyshime fare ka thënë kryeredaktorja e Periskopi, Dafina Demaku. Ajo e cilëson si “qesharake” tendencën kufizuese të qeverisë ndaj mediave kritike, meqë mediat në gjithë botën atë punë bëjnë.

Demaku përmend rastin e një telefonate me një deputet të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, rreth Kodit Civil, i cili kishte pranuar të bisedojë, deri në momentin që e kishte kuptuar për cilin medium bëhet fjalë.

“Ky nuk është fare rasti i vetëm”, sqaron kryeredaktorja e Periskopi “pasi ka me dhjetëra pyetje të cilat dërgohen për verifikim të burimeve, rreth proceseve në ministri të caktuara dhe për të cilat nuk kemi marrë kurrë një përgjigje”.

Informacionin jo rrallë të pabalancuar në temat që trajtohen, Demaku e ndërlidh pikërisht me pamundësinë për të pasur qasje në informacion, pasojë e asaj që e vlerëson si “bllokadë të qeverisë ndaj medias”.

“Mbyllja totale ndaj medias është tendencë denigruese dhe diskredituese”, vlerëson ajo.

Ky fenomen – i cili qysh në krye të herës duhet të cilësohet si i panatyrshëm dhe i paarsyeshëm – mund të gjenojë në kritikën, çfarëdo qoftë ajo, të cilën mediat po ia bëjnë qeverisë.

Nehat Sadiku, redaktor përgjegjës i Lajmi.net, e gjen të vështirë ta kuptojë raportin e komunikimit të munguar, që sipas tij, qeveria e ka ndërtuar me mediat.

“Penalizimi i mediave është evident”, shprehet ai. Mirëpo, përtej refuzimit të vazhdueshëm, për bindjen e tij “nuk ka pyetje që nuk meriton përgjigje; qoftë edhe një refuzim për t’u përgjigjur”.

Përveç me qeverinë, probleme të mëdha me marrjen e përgjigjeve Gazeta Blic ka edhe me presidencën dhe kuvendin. “Mungon komunikimi me media edhe për çështjet që ata i ngrisin”, sqaron Diamant Bajra.

Përtej korrektësisë politike dhe kufizime të të qenët redaktor, ai thekson se Qeveria Kurti i sheh mediat si armike të saj, gjë që në një mënyrë a një tjetër është thënë nga nga ekspontentë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në asnjë rast, as qeveria, e as ndonjë zyrtar për media i ministrive të caktuara, kurrë nuk ka kthyer përgjigje për tema të ndryshme që i ka ngritur Gazeta Blic”, rrëfen Bajra.

Edhe ai është i bindur që ka përzgjedhje të mediave nga pushteti politik, meqë thtoë se ka parë në disa raste që “qeveria ka dhënë përgjigje në të njëjtat pyetje, për mediume të afërta me të”, por jo edhe për mediumin në të cilin punon.

Përkundër të gjitha këtyre telasheve me të cilat përballen gazetarët dhe madje redaksitë mediale në Kosovë, përveç disa reagimeve të herëpashershme, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) nuk ka arritur të bëjë presion të nevojshëm dhe mjaftueshëm te pushteti politik.

Në përgjigjet që AGK-ja i ka dërguar për PortaliD, gazetarët rekomandohen që këto telashe “t’i drejtojnë te Komisionerja për Informim dhe Privatësi”.

“AGK-ja, u bën thirrje edhe një herë të gjithë kolegëve që t’i adresojnë ankesat për mostransparencë dhe të mos rreshtin së kërkuari llogari nga institucionet shtetërore”.

Kur kërkesat e gazetarëve arrijnë tek Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), procesi i zhvilluar e jetëson plotësisht të drejtën e qytetarit, në këtë rast të gazetarit, për qasje në dokumentin e kërkuar. Kështu thonë në përgjigjen zyrtare nga AIP.

Mirëpo, megjithëse ka mundësi që t’i dënojë institucionet, të cilat nuk i binden vendimit përfundimtar të saj, për të ofruar qasje në dokumentet e kërkuara, nuk është e qartë nëse kjo ka ndodhur qoftë edhe një herë në vitin e fundit.

Përveç rrafshit gazetaresk, kjo mbyllje e pushtetit aktual ndaj mediave, është edhe çështje e lirive dhe të drejtave të njeriut, për t’u informuar drejt.

Në adresën e tij, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), sqaron se ka pranuar vërejtje dhe ankesa nga gazetarët për vështirësitë në qasje të informacionit.

“Penalizmi i gazetarëve nga ana institucioneve apo e zyrtarëve shtetëror”, thuhet më tutje në përgjigjen me shkrim të KMDLNJ “paraqet shkelje dhe ikje nga raportimi i drejtë i punës së institucionit përkatës, dhe paraqet edhe shkelje të të drejtës për informim”.

Për KMDLNJ-në, gazetarët – përtej pengesave, nuk duhet të ndalen në kryerjen e punës së tyre dhe as të bien pre e kërcënimeve eventuale. “Media konsiderohet si pushteti i katërt, i cili ka forcën që të shërbejnë në ndërtimin e opinionit publik. Shumë regjime janë rrëzuar, por edhe të tjerë që janë forcuar apo edhe kanë marrë gjithë pushtetin falë raportimit të medieve të cilat kanë ndikuar në krijimin e opinionit pozitiv për iniciativa, parti politike, etj, për ndërrimin e regjimit në atë shtet”.

Kosova mund të ketë lëvizur pozitivisht në matjet numerike për lirinë e mediave, ngaqë mund të jenë sulmuar e kërcënuar më pak gazetarë, por gazetarët dhe institucionet të cilat duhet të kujdesen që të drejtat e tyre profesionale të mos shkelen, e vlerësojnë të ngushtuar hapësirën dhe të keqe klimën e raporteve media-pushtet, të krijuar nga partitë që udhëheqin me vendin.

Pushtetarët nuk duan pyetje nga gazetarët. Duan pyetje përmes gazetarëve.

Në kërkim të përgjigjeve, për gjithë ato pyetje që kam dërguar si gazetar, kemi dërguar si redaksi dhe ndoshta si komunitet medial, po e përmbyll këtu, me një pyetje shumë të sinqertë, të cilën po ua vë si titull këtyre radhëve, me shpresën se do t’i bëjë pushtetarët që të paktën ta lexojnë si shqetësim dhe thirrje të gazetarëve: “Kujt po i frikësohet Qeveria Kurti?”

Sqarim: PortaliD u ka dërguar pyetje të gjitha mediave të mëdha, të shkruara dhe vizive, por ka marrë përgjigje vetëm nga ato që janë pjesë e këtij botimi.

Shija e redaktorit

Këngët për nder të gjeniut Andy Warhol

Data e  6-gushtit shënon lindjen e një pop artisti si Andrew Warhol, arti i tij i  mrekullueshëm dhe idetë revolucionare të Warhol ishin padyshim...

“Film n’park”, tradita që i rikthehet Prishtinës

Në zemrën e gjelbërt të kryeqytetit, në mesin e dritave, miqve dhe muzikës, është vendi ku “Film n’park” shënon një rikthim pas kufizimeve nga...

Skender Beck, shqiptari nga Amerika na dërgon tinguj të Rock’n...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi ku dolën shumë artistë të mëdhenjë si Bob Dylan, Jim Morrison, Jimi Hendrix, dhe shumë të tjerë, nga...

Më të lexuarat

Kroaci: 11 të vdekur nga aksidenti i autobusit

Të paktën 11 persona kanë vdekur si pasojë e një aksidenti të rëndë në autostradën A4 Zagreb-Goriçan, mëngjesin e së shtunës. Sipas informacioneve jozyrtare janë...

SBAShK-u pajtohet, vlerësimi i mësimdhënësve pritet të bëhet nga drejtorët...

Cilësia në arsim mbetet një nga temat më të diskutueshme të çdo qeverie të re, edhe kur ato ndërrohen problemet mbesin të njëjta. Një nga...

Detaje dhe pamje nga vrasja në Lipjan, Drejtori i Emergjencës...

Një person ka vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur mbrëmjen e së premtes, në Lipjan. Drejtori i Emergjencës, Naser Syla ka thënë për portalin...

Të fundit nga rubrika